Ministrat e financës së tetë shteteve më të industrializuara të botës kërkojnë rritje të prodhimit të naftës për të përballuar rekordet e çmimit dhe krizën.
Të mbledhur në tryezën e përbashkët në qytetin japonez Osaka, ata parashtruan problemet më të mëdha që kërcënojnë sigurinë e ekonomisë botërore.
Sipas tyre, çmimet e larta mund të përkeqësojnë shkallën e varfërisë dhe të rrisin inflacionin në botë.
Ministrat u fokusuan rreth paqëndrueshmërisë së vlerës së dollarit dhe nënvizuan faktin se nevojitet një forcim i tij, i cili mund të ndikojë pozitivisht në shmangien e rritjes së çmimit të arit të zi.
Për këtë arsye ata kërkuan që vendet e prodhimit të naftës të shtojnë kapacitetet. Rreth një muaj me parë Arabia Saudite refuzoi kërkesën e SHBA për shtim të prodhimit, duke e justifikuar me faktin se kuota aktuale është mese normale dhe nuk ka nevojë për rritje të mëtejshme.
Pas rekordit të disa ditëve më parë, çmimi i arit të zi duket se është stabilizuar në 130 dollarë/fuçia./tvklan.al