Përpara takimit të rëndësishëm të 7 Shtatorit në Bruksel në prezencë të shefes së diplomacisë europiane Federika Mogerini, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç janë takuar në një samit në Alpbach të Austrisë. Në panelin për integrimin drejt BE-së, Thaçi e tha qartë se Kosova dhe Serbia tashmë janë në fazën finale të dialogut ku mund të flitet edhe për korrigjim kufijsh.

“Jam i gatshëm për ta bërë këtë dhe jam duke punuar me zell për ta arritur këtë qëllim prandaj kemi vendosur që të shikojmë çdo mundësi të mundshme. Kemi diskutuar për gati 5-6 vjet me Aleksandrin. Tani kemi vendosur që të hulumtojmë çdo mundësi dhe pozitë dhe nga perspektiva ime përfshirë edhe korrektimin e kufirit për të bërë orvatjen për të arritur marrëveshjen”.

Presidenti i Kosovës tërheq vëmendjen se askush nuk duhet të frikësohet për këtë marrëveshje pasi nuk flitet për krijimin e shteteve etnike.

“Edhe nëse një marrëveshje e tillë do të mund të bënte edhe korrektim të kufirit dua të siguroj të gjithë se marrëveshja potenciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë skenar nuk do të jetë në linja etnike. Kosova do të mbetet shoqëri multietnike dhe do të vazhdojë t’i mirëmbajë standardet më të larta në kuptim të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve. Parimi i njëjtë do të vlejë edhe për Serbinë”.

Ndërsa Presidenti serb tha se në Beograd është ende e vështirë të diskutosh për këtë temë.

“Ndryshe nga Hashimi, sepse ai është politikan më i mirë se unë, nuk flas për procesin e negociimit. Nuk flas për asnjë detaj. Po negociojmë në mirëbesim dhe shpresoj që ai të bëjë të njëjtën gjë. Në Beograd do të jetë më vështirë se kudo tjetër, por duhet të mendojmë për të ardhmen tonë”.

Zyra për shtyp e Bashkimit Europian njoftoi se takimi i 7 Shtatorit zhvillohet në kontekstin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Tv Klan