Konfliktet mes dy partive kryesore shqiptare në Maqedoni sa vijnë e thellohen.
Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve në zonat ku u shënuan incidente dhe ka paralajmëruar protesta masive kundër vjedhjes së votës.
Por Partia Demokratike Shqiptare ka fajësuar pikërisht partinë e Ali Ahmetit për incidentet e ndodhura në zgjedhjet e përgjithshme të 1 Qershorit, ku humbi jetën një person dhe u plagosën disa të tjerë.
Duke e konsideruar vetë Ahmetin si përgjegjës të dhunës, PDSH ka kërkuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë.
Protestat e paralajmëruara nga BDI demokratët e Menduh Thaçit i kanë cilësuar si një përpjekje për të vazhduar acarimin e situatës.
Zgjedhjet e së dielës, që morën kritikat e ndërkombëtareve, do të përsëriten në 25 qendra dhe 3 njësi zgjedhore më 15 Qershor.
Pas tyre pritet që Nikolla Gruevski të vendosë për formimin e qeverisë së re, ku me shumë gjasa ai do të ftojë në koalicion aleatin e mëparshëm, Menduh Thaçin./tvklan.al