Sulme edhe në qytetin rus të Belgorodit, mbyllen shkollat dhe qendrat tregtare

Thellohet bilanci i viktimave në qytetin ukrainas së Odesës si pasojë e sulmeve ruse. Numri i viktimave ka shkuar në 21 ndërsa të plagosur janë 70 persona. Dy raketa Iskander-M të lëshuara nga gadishulli i Krimesë i dëmtuan infrastrukturën dhe linjat e furnizimit me gaz dhe energji elektrike në qytetin jugor.

“Mund të shohim qartë se ku ka goditur armiku , automjete shtëpi dhe rrugë ku ndodheshin shumë civilë. Kur ekipet e emergjencës erdhën në vendngjarje armiku goditi vendin me një raketë tjetër. Kjo është arsyeja pse kemi viktima në personelin e Shërbimeve të Urgjencës Shtetërore. Kemi viktima në mesin e mjekëve që kanë mbërritur pak minuta pas goditjes së parë të raketës. Dhe sigurisht që kemi viktima edhe në rradhët e policisë”.

Në qëndrat spitalore ku po trajtohen të lënduarit kanë shkuar edhe shumë banorë për të dhuruar gjak. Por sulme nuk ka patur vetëm nga ana e Moskës. Në qytetin kufitar rus të Belgorodit 2 persona humbën jetën ndërsa tre të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi me raketa nga Kievi.

Në një video të siguruar nga “Reuters” shihen zjarre që kanë shpërthyer dhe sirenat e sulmit ajror që  kumbojnë në rrugët e shkreta të Belgorodit. Automjetet dhe ndërtesat janë dëmtuar si në Belgorod ashtu edhe në fshatrat përreth. Për arsye sigurie qendrat tregtare nuk do të jenë të hapura të dielën dhe të hënën, ndërsa shkollat do të jenë të mbyllura të hënën dhe të martën.

Klan News