Ministri i Drejtësisë herë pas here ka vazhduar të sulmojë publikisht Gjykatën e Lartë me shprehje “vlerësim dhe kërkesa që nuk janë normale, që kalojnë çdo masë dhe që nuk kanë të bëjnë me ndonjë kompetencë që i japin atij kushtetua dhe ligjet.” Kështu është shprehur sot në këshillin ekzekutiv të konferencës gjyqësore, kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi.
Pas mocionit drejtuar kuvendit nga ministri i Drejtësisë Arben Imami për shkarkimin e gjyqtarëve të çeshtjes Hoxha, këshilli ekzekuziv i konferencës gjyqësore, sot pasi ka bërë një kronologji të ngjarjes, ka deklaruar dhe njëherë nëpërmjet Kondit se nuk është e vërtetë që Gjykata e Lartë ka liruar të pandehurin Kudret Hoxha. Ai është lënë në arrest me afat.
T’i kërkosh kuvendit fillimin e procedurave për shkarkimin e 3 gyqtarëve të Gjykatës së Lartë, që kanë formuar shumicën në vendim të caktuar, për shkak të vendimit që kanë dhënë si dhe të kërkosh vendimin e ndjekjes penale kundër tyre, për Thimio Kondin:
“Ky është një veprim dhe precedent i rrezikshëm për demokracinë. Kemi besimin se Kuvendi i Shqipërisë e ka koshiencën e duhur dhe do të ndërmarrë veprime pozitive për të shmangur këtë situatë jo normale.”
Pas Kondit, fjalën e ka marrë Hysni Demiri, gjyqtar i Shkallës së Parë në Gjirokastër i cili e ka cilësur Imamin ministër të papërgjegjshëm i cili nuk është dhe nuk do të bëhet kurrë jurist. Më pas Artan Hoxha, gjyqtar i Shkallës së Lartë, lexoi projektdraftin drejtuar Parlamentit ku i kërkohet mosaprovimi i mocionit të Imamit për shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë pasi ky mocion nuk gjen mbështetje në Kushtetutën e Shqipërisë./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori