Ylli Hoxhaj nga Fieri ankohet në emisionin “Stop” në Tv Klan se familja e xhaxhait të tij i ka thyer 38 fidanë ullinj. Shkak është bërë një konflikt për pronësinë e një are në fshatin Drizë. Ylli përfaqëson motrën e tij, e cila është pajisur me certifikatë pronësie në vitin 2023 për këtë pronë. Por, nusja e xhaxhait, Zyrako dhe e bija Elena, nuk e pranojnë këtë gjë.
Gazetari: Ylli pretendon që ullinjtë që janë këtu të shkulur ose të thyer i ka shkulur familja juaj, ndoshta vajza ka thënë.
Zyrako: Dëgjo prandaj po të thotë nëna ty që unë dua foto këtu të bëhet dhe ishalla o Zot, mbase i ka shkulur vetë ky e të dalë se vriten njerëz dhe filmohen se kush e ka vrarë. Unë dua foto këtu nëpër këto, kush i ka shkulur ullinjtë këtej që ta di unë se kush ka qenë ai person se ia kanë ngjitur çupës.
Gazetari: Do më thuash ti pretendimet e tua, ai ka të tijat.
Zyrako: Dëgjomë mua! Këtë tokë që po shkel ti tani është tokë e Zyrasë, e ka thurur zotëria. Që i rëntë mu në kokë Yllit! Yllit t’ia mbledh nëna trurin me dorë, kështu!
Elena: Ka vajtur në bashki, në bashki e ka marrë me certifikatë të rreme çdo gjë!
Ylli: Ti nuk po më lë mua!
Elena: Se ti më bëre një denoncim,më çove në polici! Unë nuk jam mësuar, të lutem unë ty!
Ylli: Jeni ju që më çuat mua në polici në fillim!
Elena: Ç’ke me mua ti o person? Nxore certifikatë të rreme!
Ylli: Në qoftë se unë kam certifikatë të rreme, unë vete direkt, që nesër në burg!
Elena: Të vesh vetë, t’i lidhësh duart kështu e të vesh! Jazëk të qoftë! Ia hodhe vëllait tim ti? Maskara!
Ylli: Po unë ça përfitimi kam?
Elena: Ti i ke prerë të gjitha këto dhe shënon Elenën atje!
Ylli: Po unë ça interesi kam që të pres ullinjtë?
Elena: Do pendohesh vonë Ylli!
Ylli: Unë se kush je ti të njoh shumë mirë!
Elena: Si jam?
Ylli: Të njoh shumë mirë se kush je ti!
Elena: E kam të bardhë këtë, nuk më nxihet kurrë, ti po e nxin!
Ylli: Brenda zemrën nuk ta shikon njeri ty!
Elena: Zemrën e kam të bardhë borë!
Ylli: Tani pse nuk pranoni ju të vijë komuna?
Elena: Ik merre ti!
Ylli: Jo, do ta merrni ju!
Madje nënë Zyrako, e ka paditur Yllin për pushtim toke dhe vetëgjyqësi, por gjykata e ka rrëzuar padinë duke i dhënë të drejtë Yllit. Edhe administratori i Njësisë Qendër pohon se Ylli është në të drejtën e tij të ligjshme, ndërsa nënë Zyrako duhet të aplikojë për saktësimin e kufirit, gjë që nuk e ka bërë. Konflikti është tejet i nxehtë, në kufijtë e vetëgjyqësisë.
Erald Qirio, administrator i Njësisë Qendër: Po ti nuk ke faturuar shërbimin.
Elena: Po ça shërbimi thua, ore Erald?! Ça faturimi kërkon ti, o Erald?! Ti erdhe vetë me Yllin këtu!/tvklan.al