Gjatë fjalës së tij në Kongresin e sotëm të PS, kryesocialisti Edi Rama foli edhe për punën në sistemin e drejtësisë, duke u ndalur veçanërisht te SPAK-u.


Theksoi se qeveria nuk do të ndalet nga opozita e as të tjerë që përpiqen ta baltosin imazhin e kësaj force politike. Ai “shigjetoi” edhe ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.

“Është një projekt themelor për Shqipërinë e 2030-ës. Unë s’dua t;ju kushtoj sekonda atyre që thonë se janë trembur nga SPAK-u, duan të sabotojnë SPAK-un se këto janë broçkulla që ma ha mendja edhe në skeçet e estradave komuniste nuk do pranoheshin se janë shumë të trasha. Po atyre që thonë po mirë, pse u kujtua Rama 11 vjet për të luftuar korrupsionin, ç’punë ka parlamenti me sistemin e drejtësisë. Ore hapeni, lexojeni raportimin e skanimit të thelluar të BE-së. Këto janë faktet reale…

Si mos të marrim iniciativën?! Në Parlament, një udhëkryq ku të gjitha rrugët e institucioneve bashkohen dhe ku flasin, dëgjohen, koordinohen dhe Parlamenti ua shpalos ky është plani që duhet ndjekur. Këtë e them me siguri, lufta antikorrupsion me denoncime të përditshme dhe me baltë të përditnatshme që na bëhet nga i ziu, i bardhi dhe i gjithë cirku që turren te bashkia e Tiranës si te torta e pavarësisë dhe në vend të tortës kafshojnë murin.

Me minj që dalin nga vrima e tigra syshqyer nga presioni që i bën në stomak kaçkavalli i mykur apo me qime prapanicash. Të më falë prapanica për shprehjen, që bëjnë si lajmëtarë të qametit, nuk pi ujë me shqiptarë! Zero, zero! Ne e kemi ndarë mendje, lavdi Zotit e popullit shqiptar na u dha mundësia të kishim në dorë ta vinim në jetë dhe t’i hynim detit në këmbë për të bërë atë që Shqipëria nuk ka pasur kurrë, një sistem  dretësie të pavarur nga pushteti.”

E.D/tvklan.al