Qeveria ka nisur konsultimin publik lidhur me propozimin për të ndaluar platformat online të TikTok-ut dhe Snapchat-it. Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit bashkëbiseduan me këshillat e prindërve të disa shkollave të kryeqytetit.

Përveç planit për të pajisur me kamera të gjitha ambientet brenda dhe në perimetrin e shkollave, qeveria është në proces diskutimi dhe për vendosjen e pajisjeve që zbulojnë pajisjet metalike në hyrje të shkollave. Rama flet me shifra për mënyrën sesi ka funksionuar deri tani sistemi i referimit të rasteve të dhunës.

“Në 78% të rasteve është bërë njoftimi i prindërve drejtpërdrejtë, sipas karakteristikave të rastit, në 20% të rasteve është bërë njoftim i policisë dhe pastaj në 2% të rasteve kanë qenë raste të lidhura me ambulancë, urgjencën e kështu me radhë.”

Kryeministri nuk e sheh si zgjidhje për të rritur sigurinë e nxënësve propozimin e ardhur nga këshillat e prindërve për vendosjen e të gjithë nxënësve të evidentuar si problematik në institucione të veçanta. Rama, por dhe vetë prindërit mendojnë se që siguria në shkolla të funksionojë, duhet të ndërveprojnë të gjitha hallkat.

Por sipas Kryeministrit, një aktor që mund të ndihmojë në zbutjen e dhunës që promovohet pafund jo vetëm në rrjetet sociale e që aktualisht po bën të kundërtën, thotë ai, është dhe media e në mënyrë të vëçantë për raste si ai i vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli”, Kryeministri mendon se mediat janë përgjegjëse për promovim të modeleve të dhunës, Rama bën dhe politikën me skenat në parlament, por specifikisht vecon antimitingun e organizuar në Londër në takimin që ai zhvilloi me emigrantët shqiptarë në fundjavë.

Si një zgjidhje dhe për cilësinë e mësimdhënies, por dhe sigurisë në shkolla, prindërit propozojnë shtimin e numrit të shkollave dhe uljen e numrit të nxënsëve nëpër klasa.

Ndërsa sa i takon platformave online, jo të gjithë ndajnë mendimin se bllokimi i tyre me vendim qeverie do të ishte një zgjidhje e uljes së rasteve të dhunës. Gjithsesi, konsultimi do të vijoje dhe në shkolla të tjera të kryeqytetit dhe në fund qeveria do të vendosë nëse do të mbyllë apo jo platformat e TikTok-ut dhe Snapchat-it apo do të aplikohen vetëm filtra.

Tv Klan