Tirana është për të 24 herë kampione e Shqipërisë në futboll. Në “Qemal Stafa” bardheblutë kanë mundur lehtësisht Vllazninë 2-0 me gola të Devi Mukës në minutën e 2 të pjesës së parë dhe të Migen Memellit në të 30. Pogradecari shpallet kështu këpuca e artë me 22 gola të shënuar.

Kjo ishte hera e 10 që këto dy ekipe janë përballur në finale dhe për të 6 herë ka fituar skuadra bardheblu që në këtë finale është ndjekur nga trajneri i kombëtares Josip Kuzhe.

Gazetari: “Një titull që e kërkoje prej kohësh?”

Migen Memelli: “Po besoj që e kam merituar, sidomos këtë vit, kemi ekip shumë të mirë dhe këtë e kemi treguar që nga faza përgatitore e deri në ndeshjen e fundit.”

Refik Halili: “Jam i lumtur për këtë. Falënderoj tifozerinë e Tiranës, falënderoj që të gjithë dashamirësit, ju falënderoj ju për mbështetjen. Ka qenë një kampionat mjaft i mundshëm, megjithatë shpresojmë në vazhdimësi do takohemi dhe do flasim për titullim dhe për vazhdimësinë e Tiranës shumë shpejt. Them që Tirana do të bëhet edhe më e fortë se ç’është sot, një pjesë e mirë e kontingjentit do të vazhdojë të qëndrojë te Tirana.”

Andi Lila: “Ky ishte titull i merituar plotësisht. Jemi skuadra më e mirë, shpresoj të kalojmë turin Champions League. Falënderoj gjithë ata që kanë punuar për bardheblutë.”

“Unë jam shumë i lumtur sepse e para ma ka bërë zoti gjithnjë këtu në Shqipëri edhe pas disfatave që kemi pasur kemi kupën dhe sot kemi fituar me meritë. Titulli kampion i katërt për mua personalisht edhe ja dedikoj këtë medalje familjes time atje në Nigeri.”

“Kjo ka qenë e projektuar për titullin kampion, kontribut mjaft të madh ka presidenti Halili, Florian Ngjela që e ka mbështetur dhe paraardhësit e mi … dhe sidomos Kola.”

Një ndeshje tejet e rëndësishme ka qenë edhe ajo mes Lushnjës dhe Partizanit. Ekipi lushnjar ka fituar 1-0 por ka rënë nga kategoria. Vetëm rezultati 2-0 e mbante Lushnjën në superligë. Në fakt 2 gola janë shënuar në stadiumin Roza Haxhiu, por një prej tyre nuk është konsideruar i vlefshëm nga arbitri. Kjo ka sjellë pakënaqësinë e tifozëve vendas dhe irritimin e drejtuesve te klubit.

Pas humbjes kryebashkiaku lushnjar Sanxhaku ka deklaruar se ka shkarkuar të gjithë ekipin duke prishur kontratat me çdo anëtarë skuadrës, si dhe stafin teknik.

Albert Sanxhaku: “Lojtarët i kanë mbaruar kontratat edhe sekretari teknik i klubit, natyrisht edhe ai largohet nga detyra. Të gjithë trajnerët largohet nga detyra dhe të shikohen mundësitë për të zhvilluar më tej një organizim tjetër. Të gjithë futbollistët do të kenë në duart e tyre edhe diferencat e kontratave.”

Nga kategoria përveç Lushnjës bie edhe Elbasani megjithëse ka fituar ndeshjen e fundit me Teutën 3-2. Bylis e Partizani janë dy ekipet e Superligës që do të luajnë ndeshjet e play-out me dy skuadrat e Kategorisë së Parë, që u renditën në vendet 3-4. Kështu të mërkurën e ardhshme në “Qemal Stafa” e “Selman Stërmasi” do të luajnë ndeshjet për një vend në Superligë, Bylis-Gramozi e Partizani – Kastrioti. Më parë nga kategoria e Parë janë ngjitur në Superligë, Laçi dhe Skëndërbeu./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe