Tirana do të përballet me Laçin këtë të shtunë, në një sfidë e cila do të luhet në Korçë.

Trajneri i bardhebluve, Bledi Shkëmbi, deklaroi se nuk është gjë e mirë kjo që po ndodh, me çështjen e stadiumit. Në prononcimin para ndeshjes me Laçin, tekniku i Tiranës theksoi se pikët janë të domosdoshme në këtë fazë.

Sipas tij, nuk ka diferenca të mëdha mes ekipeve të kampionatit shqiptar, duke thënë se nuk ka skuadra shumë të forta dhe të dobëta.

“Sigurisht do donim të luanim në “Air Albania”, sepse fusha i përshtatet lojtarëve dhe tifozëve. Nuk është gjë e mirë kjo që po ndodh. Ne duhet të bëjmë maksimumin në çdo fushë ku detyrohemi të luajmë. Nuk është njësoj një skuadër që ka fushën e tij, gjithashtu edhe për tifozët kur shkojnë në një stadium tjetër. Ka ndikuar pak, megjithëse nuk dua të justifikohemi.

Meritonim fitoren ndaj Dinamos. Kemi kërkuar në të gjitha minutat për të fituar ndeshjen. Nuk kishim edhe fatin me vete. Duhet të japim më shumë për fitore. Na duhen pikët, përballë çdo kundërshtari. E dimë shumë mirë, që nuk ka ekipe shumë të mira, apo të dobëta. Jemi të gjithë të barabartë. Duhet të bëjmë diçka më shumë sesa tani.”, deklaroi Shkëmbi.

Ndeshja Tirana-Laçi, është planifikuar të luhet të shtunën në Korçë, në orën 17:00. /tvklan.al