Teksa duket se 4 skuadrat e vendeve të para do të jenë deri në fund në garë për titullin kampion, mbetet për t’u parë lufta për mbijetesë. Në fundin e renditjes ka zbritur Tirana. Ish-futbollistët e këtij klubi janë tejet të shqtetësuar.
“Jemi kthyer klub diletant pa prestigj. Nuk me shkonte mendja kurrë. Shpresojmë të mos biem prapë. Ka skuadra që e dinë se ça bëjnë, Tirana noton në ujëra që nuk i njeh”, tha Rezart Dabulla.
Bardheblutë ndryshuan sërish trajnerin duke rikthyer Bledi Shkëmbin, të cilin e shkarkuan në fillim të Nëntorit. Por ky ndryshim ka alarmuar ish-futbollistët, të cilët bëjnë fajtorë drejtuesit e klubit.
“E para, çfarë objektivi i ke vënë? E dyta, pse e hoqe para dy muajsh? Tragjikomenti a duket të qesh apo duhet të qaj. Amatorizëm nga drejtuesit e klubit. Shkëmbi nuk ka faj. Është për të ulëritur, është faji i drejtuesve që e kanë sot”, deklaroi Dabulla.
Për Dabullën, këtë sezon Tirana ka pak shpresa.
“Uroj që Shkëmbi të bëjë mirë, por këto lloj rikthimesh kanë rezultuar jo të suksesshme.”
Nën drejtimin e Maganit, Tirana mori 1 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje. Tashmë Tirana e 26 titujve kampion, gjendet në vendin e parafundit të renditjes me 18 pikë, vetëm 2 më shumë se Skënderbeu.
Tv Klan