Tirana është kthyer në qendër të Turizmit Europian. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, pritën në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit për Europën në kuadër të mbledhjes së 70-të të kësaj organizate që mbahet në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit të turizmit nga 40 shtete të Europës.
“Ashtu siç kishim modelin e Kolegjit të Europës, kemi një ide të cilën sapo e kemi ngjizur, për të pasur një akademi ekselence të turizmit. Ka ardhur koha që rajoni të bashkëpunojë si për Kolegjin e Europës, për stafet që do të na çojnë drejt Bashkimit Europian, sot do të bashkëpunojmë për stafet e ekselencës që do të menaxhojë gjithë biznesin e turizmit, që gjithmonë e më shumë për Shqipërinë, por edhe për rajonin, është një bekim i madh.”
Sipas Veliajt, Shqipëria duhet të përgatitet për bumin e turistëve që po përballet vitet e fundit.
“Ne kemi sot një bum të jashtëzakonshëm dhe duhet që ta përballojmë këtë. Se ndryshe do të kemi sfida të tjera. Ne duhet të përgatitemi se si t’i drejtorët ekzekutivë të hoteleve me 5 yje dhe resorteve, të jenë staf shqiptar, edhe pse jemi shumë të hapur për të gjithë ata të huaj që po punojnë sot në Shqipëri.”
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit vlerësoi transformimin e kryeqytetit, duke ndihmuar në thithjen e sa më shumë turistëve.
Tv Klan