Kryeqyteti ka mirëpritur eventin “Tirana Slush’D”, i pari i këtij lloji në Shqipëri që synon të mbështesë themeluesit dhe të transformojë ekosistemin e startup-eve. Ky aktivitet sjell në qendër inovacionin dhe ndërlidh sipërmarrësit shqiptarë me Ballkanin, Diasporën, Europën dhe vendet nordike.

I pranishëm në këtë organizim tek ish-Piramida, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë që ka orientimi i të rinjve drejt sipërmarrjes.

“Një nga gjërat që më ka shqetësuar është se, kur bëhet një sondazh me të rinjtë finlandezë, estonezë, izraelitë, 70-80% e tyre thonë se kur të rritem dua të bëhem sipërmarrës. Ndërkohë, në sondazhet tona 70-80% thonë kur të rritem dua të punoj në shtet. Kjo ndodh sepse kërkojmë një rrogë, nuk kërkojmë të zhvillohemi; kërkojmë rehati, nuk kërkojmë rrezik; kërkojmë siguri dhe nuk kërkojmë sfidë.”

Ndërsa Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shprehu mbështetjen për të çuar më tej këto projekte.

“Ne duam që të punojmë për shumë më tepër se kaq, duam të krijojmë një treg që të gjenerohet një fitim, që të jetë shumë i rëndësishëm për shoqërinë. Kjo është Shqipëria si gjithë Europa. Bota jonë po ndryshon me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe ne duhet të bëhemi gati për këtë të nesërme, e cila po bëhet shumë shpejt e tashme.”

Në Tiranë “Startapet” shqiptare patën mundësinë të prezantohen para një jurie ndërkombëtare duke marrë vlerësime profesionale dhe duke zgjeruar horizontet e tyre në tregjet globale.

Klan News