Mbi 50 pika karburantesh në 32 kilometra autostradë
“Autostrada Tiranë-Durrës është e denjë për rekordet Guinness. Në vetëm 32 kilometrat e saj numërohen mbi 50 pika karburantesh. Në asnjë vend tjetër të botës nuk do të shihni diçka të tillë”.
Nuk është e vështirë të konstatosh morinë e pikave të shitjes së karburantit me pakicë në këtë autostradë. Të vendosura pa asnjë studim, pikat e karburanteve shfaqen në të dyja anët e rrugës.
“Në të gjithë vendin janë 1159 stacione karburante dhe 774 autogaze. Vetëm në autostradën Tiranë-Durrës janë 55 stacione shitje me pakicë të karburanteve nga të cilat 42 kanë të instaluar edhe autogaze”, thotë drejtori i ISHTI, Ahmet Shehu.
Sipas përfaqësuesve të Inspektoratit Shtetëror Teknik, distanca kaq e afërt e karburanteve, përveçse është e kundërligjshme, përbën rrezik edhe për zonën ku ndodhen. Nëse do të ishte zbatuar ligji, në të gjithë autostradën duhet të kishte vetëm 2 ose 3 karburante.
“Sipas legjislacionit të 2015-s, karburantet duhet të jenë 15 kilometra larg njëri-tjetrit, sepse në gjendjen që janë përbëjnë rrezik. Por ato janë ndërtuar shumë vite përpara dhe janë me dokumentacion të rregullt”, shpjegon Shehu.
Vetëm para dy ditësh, një pikë karburanti në aksin rrugor Lezhë-Milot u përfshi nga flakët, duke lënë të plagosur 7 persona, një prej të cilëve në gjendje të rendë. Nuk kanë munguar edhe rastet që për shkak të hyrjes dhe daljes së automjeteve nga këto karburante, të ndodhin aksidente deri edhe fatale.
Tv Klan