Fëmijët e zonës së Kopshtit Zoologjik dhe Kodrës së Diellit në Tiranë kanë tashme një çerdhe të re me godinë 3-katëshe.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj nënvizoi se numri i kopshteve dhe çerdheve të reja të hapura vitet e fundit ka arritur në 108.

Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë: Është një gëzim i jashtëzakonshëm që hapim sot çerdhen tonë të 108-të. Ajo që po bëjmë në këto lagje, përfshirë Njësitë 12, 13 dhe 14, është që po marrim ndërtesa ekzistuese me qira. Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli, të cilët na kanë ndihmuar për ta hapur çerdhen në kohë rekord, çka me procedura normale do të merrte shumë kohë.

Veliaj shtoi se në këtë mandat do të përfundojë totalisht infrastruktura për fëmijët nga qendra në periferi.

Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë: Do t’i përgjigjemi kërkesës së komunitetit, edhe me shkollat te Kopshti Botanik dhe Parku Olimpik. Ka filluar që tani prokurimin për tre shkolla të reja në zonën e Unazës së Re, në lagjen ‘Rilindja’. Me këto kantiere kompletojmë totalisht Tiranën, nga qendra në periferi.

Çerdhja 13 e sapohapur do t’u shërbejë 100 fëmijëve të kryeqytetit.

Klan News