“Për masat kufizuese vendoset sipas situatës”
Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini, deklaroi këtë të shtunë se në vjeshtë sistemi shëndetësor mund të përballet me një valë të dytë infektimesh.
Gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë në Tv Klan, Tomini u shpreh se shkak i kësaj vale të dytë do të bëhen edhe virozat respiratore që qëndrojnë zakonisht në këtë kohë, si gripi. Ajo theksoi se strukturat shëndetësore janë në gatishmëri dhe në monitorim të çdo rasti.
“Kjo tendencë ka qenë e qëndrueshme prej 2 muajsh. Vala e dytë ashtu sikurse është theksuar dhe me ardhjen e vjeshtës ku prezenca e virozave të tjera respiratore, ajo e gripit dhe e Covid, paraqet sistemin përballë një vale të dytë në vend dhe Europë. Strukturat janë në gatishmëri dhe strukturat janë në monitorim të çdo rasti”, tha Tomini.
Epidemiologia u shpreh se do të vendoset sipas situatës nëse do të ketë masa kufizuese ose jo. Për këtë, Tomini tha se do të monitorohen tre indikatorë si rastet në reanimacion, trendi i përhapjes së Covid dhe rastet e hospitalizuara.
Sa i përket vendimit për të rihapur shkollat, Tomini tha se po punohet për të finalizuar protokollin e sigurisë kur nxënësit të kthehen në banka.
Ajo u shpreh se kushdo që do të kthehet në shkollë duhet të ketë parasysh distancimin fizik, masat e higjienës personale dhe ambientale dhe vendosjen e maskës./tvklan.al