Nga dera e SPAK, ku firmosi ditën e sotme detyrimin e paraqitjes, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha publikoi disa përgjime sipas të cilit, implikojnë ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Sekretari për Ligjet dhe Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso, tha se komunikimi i publikuar nga Berisha ka rrjedhur nga dosjet e SPAK dhe ka ardhur në duart e kryedemokratit në mënyrë anonime. Ai sqaroi më tej edhe çfarë flitet në këtë përgjim.
“Materiali bënte fjalë për një komunikim të një personazhi politik me emrin Tao, me interesa politike në zonën e Elbasanit. Një personazh që identifikohej si Tao, pra presupozohej të jetë i drejtpërdrejtë, por me anë të kodit. Ka qenë material në platformat e koduara, i cili komunikonte me një personazh të botës së krimit në Elbasan, të cilët në radhë të parë i thonin që kishin një kërkesë të re kësaj radhe. Pra ka qenë një situatë status quo-je në të cilën ata i drejtoheshin personazhit me emrin Tao për të marrë tendera dhe favore publike dhe tani hiqnin dorë përkohësisht nga këto favore që kishin marrë deri në 2020 dhe i kërkonin një nder krejtësisht të ri. Pra t’u spastronte fushën nga kundërshtarët politikë që të përfundonin në burg. Një personazh me emrin Tao me interesa politike në zonën e Elbasanit, një personazh me fuqi për të futur kriminelë në burg, duke patur nën urdhrat e veta policinë, OFL-në, çfarë ka qenë atëherë, etj. dhe duke përfshirë prokurorinë, duke përfshirë dhe Prokurorinë e Posaçme, ndoshta segmente, duke përfshirë edhe gjykatën dhe mbasi ky personazhi Tao merr garanci nga personazhi i botës së krimit që në qoftë se i kryente këtë favor të ndryshëm nga ato që u kishte kryer deri atëherë, pra nga tenderat publikë që u kishte garantuar merr garanci që do i përkthehej në rezultat elektoral dhe do i përkthehej në vota”, tha Kaso.
Pyetjes së Fevziut nëse dyshimi i demokratëve është që personazhi i këtyre përgjimeve është Taulant Balla, Kaso i përgjigjet duke i kërkuar të shikohet se kush ka qenë personi që ka marrë më shumë vota jo vetëm në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 2021.
Blendi Fevziu: Dyshimi juaj është që është Taulant Balla?
Ivi Kaso: Gjithë këto elemente që unë ua jap, personazh politik i fuqishëm i mazhorancës që identifikohet si Tao me interesa elektorale në zonën e Elbasanit, i fuqishëm mjaftueshëm për të patur nën urdhrat e veta jo vetëm bandat e Elbasanit, por edhe policinë, prokurorinë, segmente të gjykatës, i cili arrin që brenda 1 viti sikundër u kishte dhënë përgjigjen që këta personazhe brenda vitit do përfundojnë në burg dhe përsëri arriti t’i fusë në burg 1 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme 2021 dhe një personazh i cili me shumë gjasa ose afërmendsh si i pëlqen SPAK ta thotë, kjo mbështetje i përkthehet në rezultat elektoral. Shihni kush ka marrë më shumë vota jo vetëm në qarkun e Elbasanit, por ndoshta nga të gjithë deputetët garues në zgjedhjet e 2021./tvklan.al