Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit prej 38.8 miliardë lekë në 7 vjet, i deklaruar nga kryetari i KLSH Mustafa Kërçuku, duhet të pasohet me përgjegjësit kryesor. Një deklaratë e tillë vjen nga nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli, e cila kërkon që shkaktarët e miliardave të humbura, duhet të dalin në pah, e më pas të penalizohen për shkeljet që kanë çuar në vjedhje në abuzime financiare në administratën shtetërore.

Jozefina Topalli: “Pavarësisht se kjo vjen nga skadimi i afatit të zgjedhjes së kryetarit apo jo, po shifra e atyre është shumë e lartë, por në fund të fundit kjo është vetëm maja e ajsbergut. Sa rrugë do të ishin bërë më shumë sikur administrata e shtetit të mos kishte vjedh këtë shifër shumë të lartë, shumë të madhe, sa shkolla do ishin bërë, sa vende pune do të ishin hapur, sa më mirë do të kishte qenë qytetari shqiptar? Tjetra që nuk është më pak e rëndësishme është fakti që nga një dëm kaq i madh, i deklaruar, kush është dënuar, kush është arrestuar, kush është penalizuar?”

Raporti i cili përmbledh 7 vitet e punës së Kërçukut bëhet në një kohë kur kryekontrollori i shtetit është në përfundim të mandatit të tij dhe opozita ende nuk ka menduar për emrin e ri.

Jozefina Topalli: “Kjo është një temë tjetër që s’është diskutuar asnjëherë, zoti Kërçuku është zgjedhur si një opozitar i emëruar dhe nuk besoj se do të përsëritet më një gjë e tillë”.

Raporti i KLSH, ende nuk ka përfunduar, pasi do të kontrollohen edhe subjekte të tjera shtetërore./tvklan.al