Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vizitoi Komunën Dajç për të parë nga afër situatën ne zonat e përmbytura. Duke u ndalur tek argjinaturat, numri një i parlamentit tha se ndërtimi i tyre në vitin 2006 evitoi një katastrofë, e cila do të vinte seriozisht në rrezik jetën e qytetarëve. Nderkohe Topalli u bëri edhe një herë thirrje banorëve të bashkëpunojnë për evakuimin e familjeve.
“Dua t’i shpreh mirënjohje qeverisë që në vitin 2005-2006 filloi të ndërtojë argjinaturarat e Kirit, gjë që bëri të mundur që në këto kushte të motit të çmendur të mos kemi kushte katastrofike.Po ashtu, argjinatura 14 kilometër që në 2006-2007 që është ndërtuar shumë shpejt në zonën e Dajçit, ka bërë të mundur që mos të jemi në kushte të katastrofës. Ajo që unë kam për detyrë t’i them banorëve si deputete e kësaj zone është: ju lutem largohuni nga zona, ju lutem bashkëpunoni me ushtrinë, me shtetin për shpëtimin e jetëve. Ajo është gjëja më e shtrenjtë që kemi. Dëmet që mund të vijnë gjatë ditëve të ardhshme për shkak të këtij moti të çmendur do të kompensohen dhe dëmshpërblehen nga shteti”, u shpreh Topalli.
Autoritetet thanë se niveli i ujit pritet të bjerë me ritme të shpejta nëse nuk do të ketë reshje të dendura. Niveli i shkarkimit nga hidrocentralet është ulur që prej të dielës.
Tv Klan