Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka akuzuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama për lidhje të tij me mafien e ndërtimit në kryeqytet.

Gjatë takimit me anëtarë të degës lokale të Partisë Demokratike në Malësinë e Madhe, kryeparlamentarja tha se Rama është në krye të një klani më të burime të paqarta të të ardhurave të tyre.

Jozefina Topalli: “Edi Rama nuk është PS-ja , Edi Rama nuk përfaqëson interesat e PS-së. Edi Rama është vetëm një klan njerëzish që përbëhet nga zotëria i tij, nga Koço Kokdhima, nga Fidel Ylli, nga Dash Peza, nga dulakët dhe nga të gjithë bosët e tjerë të ndërtimit burimi i parave të të cilëve nuk janë fare, fare të qarta.”

Duke e quajtur Ramën si dhunues të familjes dhe shoqërisë, Topalli tha se ai nuk mund të përfaqësojë interesat e shqiptarëve.

Jozefina Topalli: “I them Edvin Ramës se nuk ka menduar kurrë për nënë e tij, se nuk ka menduar kurrë për partneret e tij, se nuk ka menduar kurrë për gratë e tij. Le të mendojë ky agresor për qytetarët e Shqipërisë. Shqiptarët në Korrikun e 2010 do lëvizin pa viza, këtë dhjetor ne kemi festë të madhe, kemi përkujtim të jashtëzakonshëm. Është ai përvjetor në të cilën ne rrëzuam Kristaqin, e rrëzuam Kristaq Ramën, e rrëzuam Xhelil Gjonin, rrëzuam edhe Sulejman Bushatin.”

Kryeparlamentarja theksoi edhe njëherë se certifikimi i zgjedhjeve nga ndërkombëtarët hedh poshtë çdo pretendim të opozitës.

Sipas Topallit me kërkesat e tij Rama po përpiqet të mbaj peng Partinë Socialiste dhe institucionet e vendit./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani