“Mësuesit dhe nxënësit do të jenë në qendër të politikave tona gjatë mandatit të dytë”. Kështu u është drejtuar Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, studentëve të konviktit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” gjatë takimit që zhvilloi në qytetin e Elbasanit. Topalli gjatë fjalës së saj tha, se ndihet krenare që gjatë këtij mandati arsimi është trajtuar si një prioritet i qeverisë.
Jozefina Topalli: “Unë ndihem mirë që mësueseve i kemi dyfishuar rrogat, por ju them një gja me siguri se në mandatit të dytë, në qoftë se ne rritemi në 3% në 4% pjesën e buxhetit që shkon tek arsimi. Në mandatin e dytë kjo do shkojnë në 6% dhe mësuesit dhe nxënësit do të jetë pika kryesore ku do të fokusohet politika tona arsimore”.
Në këtë takim, kryeparlamentar foli edhe për dhunën në familje, duke thënë se shoqëria shqiptare nuk duhet të orientohet nga hipokrizia, por nga e vërteta.
Jozefina Topalli: “Unë personalisht nuk mund të pranoj kurrë që një burrë që është ushtrues i dhunës në familje të flasë kundër dhunës në familje. Nuk pranoj unë që të më flasi në emër të bashkimit, shoqërisë një njeri që nuk ka bashkuar familjen e tij të vogël”.
Gjatë vizitës së saj në Elbasan, Kryetarja e Kuvendit pa nga afër ambientet e konviktit ku jetojnë e studiojnë studentë nga zonat e Shqipërisë së Mesme dhe Lindore. Në tri vitet e fundit, në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” janë investuar mbi 1.5 milion dollarë dhe së shpejti pritet të ndërtohet dhe një konvikt i ri pranë këtij universiteti./tvklan.al
Montazh: Ergis Hasanbelli