Unioni i anglofoneve është hapur edhe në vendin tonë. Në ceremoninë e hapjes ka qenë i pranishëm dhe kryeministri Sali Berisha, të cilit i është dhënë certifikata e kryetarit të nderit të Unionit të Anglofonëve të Shqipërisë. Sipas Berishës promovimi i gjuhës angleze është promovimi i një gjuhe globale, e cila çdo ditë e më tepër po përzgjidhet si gjuha e komunikimit ndërkombëtar.

Sali Berisha: “4 vjet më parë, një prej zotimeve të qeverisë për të rinjtë shqiptarë ishte se do të bëhej çdo përpjekje që gjuha angleze të ishte gjuhë e dytë për ta. Të rinjtë e kanë adoptuar më së miri këtë gjuhë, pavarësisht kombit të cilit ata i përkasin apo kontinenteve, pavarësisht kulturës së tyre apo besimit fetar. Anglishtja është bërë gjuha e mendjes dhe zemrës. Është gjuha e shkencës dhe rinovimit dhe unë besoj se shumë shpejt ky union i krijuar është një përfitim i madh në të mirë të rinisë shqiptar”.

Për kryetarin e Unionit të Anglofonisë Botërore Lordi Watson, ky union do të ndihmojë në mënyrë të veçantë të rinjtë shqiptarë  për tu afruar sa më shumë vendeve të BE-së pasi ai është dhe vendi i Shqipërisë.

Lord Alan Watson: “Sot, afërsisht dy miliardë njerëz flasin gjuhën angleze. Anglishtja është bërë gjuha e punës në mbarë botën. Sot, shënohet një fazë e re e udhëtimit të kësaj gjuhe, sepse me hapjen e Unionit Anglisht-folës, anija e gjuhës angleze ka gjetur një vendstrehim në Shqipëri. Jam shumë i kënaqur për themelimin e këtij unioni. Shqipëria është një vend me histori të jashtëzakonshme dhe kulturë të rëndësishme. Është një vendtakim i disa traditave dhe besimeve të ndryshme dhe shtëpia e Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe unë mezi e pres anëtarësimin e saj”. 

Të pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham dhe presidenti i dhomës së tregtisë shqiptaro-angleze, Zenel Hoxha.

Zenel Hoxha: “Ju falënderojmë shumë për mbështetjen e madhe që keni dhënë tërë jetën tuaj për gjuhën angleze, për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike pas 50 vjetësh izolim dhe u jemi shumë mirënjohës për këtë”.

Pas ceremonie Lordi Watson është pritur në një takim të veçante nga kryeministri Sali Berisha. Më pas kryetari i Unionit të Anglofonisë Botërore është takuar edhe me kryetaren e kuvendit Jozefina Topalli./tvklan.al

Gazetari: Eno Luarasi