Topalli: Parlamenti, tempulli i të vërtetave

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka bërë sërish thirrje opozitës të hyjë në Kuvend, duke i qëndruar kontratës së bërë me qytetarët shqiptarë. Deklarata e kryeparlamentares vjen në sinkron me qëndrimin e Parlamentit Evropian mbi këtë çështje. Në sintezë rezoluta e miratuar ditën e enjte nga Parlamenti Evropian, i kërkon opozitës në Shqipëri të ndalë bojkotin dhe mazhorancës të vijojë punën e saj bazuar në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Jozefina Topalli: “Pas kësaj rezolute tjetër mbështetëse të Parlamentit Evropian, dua t’i them deputetëve të opozitës se ne i mirëpresim ata në parlament se kemi detyra të shumta për të bërë së bashku. Unë jam e sigurt se ashtu siç kemi gjetur konsensus për shumë ligje të rëndësishme, siç kemi bërë kodin elektoral siç e dëshironin ato, ne do vazhdojmë të punojmë siç të dëshirojnë ato për të bërë amendamentet për zgjedhjet për, kodin elektoral, për përmirësimin sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it”.

E pyetur nga gazetarët Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli komentoi dhe  fjalimin e Kryeministrit Sali Berisha një ditë më parë në Kuvend. Topalli tha, se gjithçka u tha në adresë të Kryetarit të PS, përmban një të vërtetë të madhe, e cila duhet të ishte thënë me kohë. Për kryetaren e Kuvendit etika familjare duhet të dominojë në funksionimin e shoqërisë shqiptare.

Jozefina Topalli: “Fondamentale është etika familjare. Parlamenti është tempulli i të vërtetave të pa fshehura. Unë prej muajsh, në fakt janë bërë vite që shkoj fshat më fshat, cep më cep të Shqipërisë , qytet më qytet, duke ju kërkuar zonjave, grave, motrave që të thyejnë murin e heshtjes, që të kenë kurajo dhe të thonë të vërtetat, faktet ashtu siç i tha mbrëmë kryeministri. Ashtu siç janë, siç ndodh me dhunën në familjet e tyre. Një vërejtje kam, zërin për të thënë këto fakte të rëndësishme, të forta duhet ta kishim ngritur më përpara. Çfarë do ju them unë atyre grave në fshat, në qytet. Atyre ju them thyej murin e heshtjes, unë do heshti? Parlamenti është vendi i të vërtetave lakuriq, absolutisht”.

Si përgjigje ndaj interesit të gazetarëve Kryetarja e Kuvendit bëri këtë deklaratë mbi procedurën që do të ndjekë mazhoranca lidhur me mandatet e deputetëve të Opozitës, të cilët prej rreth 3 muajsh nuk marrin pjesë në kuvend.

Jozefina Topalli: “Kushtetuta do zbatohet”.

Gjatë deklaratës së saj për median Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli  përshëndeti dhe qëndrimin e mbajtur një ditë më parë edhe  nga Presidenca Suedeze e BE, nëpërmjet ministrit të jashtëm Karl Bildt. Bildt tha, se mirëpret veprimet  e ndërmarra nga autoritetet Shqiptare si dhe u shpreh i sigurt se liberalizimi i vizave BE-Shqipëri do të ndodh në korrik të vitit 2010./tvkaln.al

Gazetare: Menada Zaimi