Francesco Totti mund të luajë sërish futboll si profesionist? Ish-sulmuesi legjendar i Roma dhe përfaqësueses italiane tha gjatë një eventi të një sponsori të tij se ka pasur ekipe të Serie A që e kanë kontaktuar.

“Ka pasur skuadra që më kanë telefonuar dhe më kanë bërë të mendoj. Thashë nëse më kërkojnë ndoshta kanë ende nevojë për mua. Do të ishte e vështirë, por në jetë mos thuaj kurrë. Ka pasur futbollistë të cilët kanë luajtur disa vite pasi kishin varur këpucët në gozhdë”.

Totti thotë se nëse do të kthehej në fushat e futbollit nuk do të vishte dot fanellën e Lazio, apo të shkonte në Arabinë Saudite, por nëse do ta bënte do të ishte sërish në Serie A.

“Jo jashtë vendit, vetëm në Itali. Duhet të stërvitem për 2 ose 3 muaj mund të jem gati të luaj për 30 apo 40 minuta. Kurrë mos thuaj kurrë”.

Francesco Totti la futbollin në 2017 në moshën 41-vjeçare, pas gati çerek shekulli karrierë e gjitha me Roma.

Tv Klant