Qëndrimi i Rey Manaj në Superligën turke pritet të zgjas më shumë nga sa ishte parashikuar. Sulmuesi shqiptare është shndërruar në objektivin e disa skuadrave, ku së fundmi në garë ka hyrë Trabzonspori.
Është trajneri i klubit, Shenoll Gynesh ai që preferon 27-vjeçarin, i cili me fanellën e Sivasporit po bën gjithnjë e më mirë, duke u kthyer në pikë reference.
Por, me merkaton e janarit në sfond, kalimi në Trabzonspor shihet si tepër i mundshëm. Në favor të sulmuesit kuqezi është edhe kontrata drejt skadencës me Sivasporin, marrëveshje që zgjat deri në verën e vitit 2026. Pavarësisht dëmtimeve të shumta, Manaj ka qënë në fushë në 954 minuta në 12 ndeshje të kampionatit, gjithsesi ka arritur të gjej rrugën e rrjetës 4 herë.
Edhe sezonin e shkuar, ish-lojtari i Interit ka qënë vendimtar për Sivasporin, ku shënoi 22 gola në të gjithë kompeticionet. Këtë edicion klubi synon rezultate edhe më të larta, ku synim është kualifikimi në Kupat e Europës. Vlera e Manaj në treg vlerësohet me shifrën e 4 milionë eurove.
Klan News