Performanca sensacionale në fitoren ndaj Kayserispor ka marrë edhe shpërblimin e duhur. Rey Manaj shkëlqeu me dy gola dhe dy asiste në triumfin 5-2 të Sivasspor për të dhuruar një prej sfidave më të mira në karrierë.
Kontribut me 4 gola për skuadrën turke, duke e ndihmuar Manaj që të marrë edhe vlerësimin maksimal. Sipas ‘Sofascore’, lushnjari meriton notën 9.9, duke u përfshirë në formacionin më të mirë të javës së 21-të në Superligën turke.
Manaj la gjurmë dhe ishte më i vlerësuari në 11-ëshen e më të mirëve, për t’u pozicionuar në majën e sulmit në formacionin 3-1-4-2. 27-vjeçari goditi dy herë drejt portës, tentativa që u shndërruan në gol. Teksa vetëm një goditje u bllokua nga mbrojtja, me Manaj që regjistroi statistika fenomenale në një 90 minutësh tepër efikas prej tij.
38 herë u prek topi nga sulmuesi kuqezi, ndërsa 18 prej 22 pasimeve ishin të sakta. Ndaj Kayserispor ishte tepër i fortë në lojën në ajër, me 4 tentativa të fituara prej tij në 5 duele, ndërsa faullet kundër tij u përkthyen në kartona të kuq për kundërshtarët.
Dy gola dhe dy asiste për Rey Manaj që ngjitet në kuotën e 6 rrjetave sezonale dhe dy pasimeve kyç për shokët e skuadrës, për të ndihmuar Sivasporin që t’i qëndrojë larg pozicioneve të fundit të renditjes.
Klan News