Shqipëria mbetet një vend burimi për trafikimin e grave dhe fëmijëve për qëllim shfrytëzimi seksual dhe punë të detyruar kryesisht në Greqi dhe Itali. Është ky konkluzioni i raportit të fundit të departamentit amerikan të shtetit të publikuar në internet. Fëmijët, veçanërisht ata të komunitetit rom dhe jevg, citon raporti, trafikohen në vende të tjera të detyruar për të lypur. Ekspertë rajonalë dhe ndërkombëtarë konsiderojnë që Shqipëria ka shënuar një zbritje të rendësishme në aktivitetin e tranzitit për në Evropën Perëndimore, por qeveria shqiptare nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit.
Megjithatë ajo ka ndërmarrë përpjekjen serioze për ta bërë një gjë të tillë. Raporti përmend se arrestimet dhe ndjekjet penale për vepra të lidhura me trafikimin janë rritur në mënyrë të dukshme dhe qeveria e vazhdon parandalimin e trafikimit me skafe përmes Adriatikut. Në vitin 2003 janë arrestuar 317 të dyshuar për krime të lidhura me trafikimin dhe në 75 nga 102 raste dënimesh u dhanë vendimet deri mbi 10 vjet burgim. Por disa gjykata liruan trafikantët të dënuar ndërkohë që prisnin gjykimin në apel pa ofruar mbrojtje për dëshmitarët dhe vitkimat. Raporti i departamentit amerikan të shtetit ka vlerësuar monitorimin e zyrtarëve të përfshirë në trafikim, megjithatë qeveria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të ndjekur penalisht dhe dënuar zyrtarë të administratës që bashkëpunojnë në krim si dhe të përmirësojë programet e saj të parandalimit dhe riintegrimit. /tvklan.al