Policia spanjolle shkatërron rrjetin ndërkombëtar, banda ndihmonte persona të ndryshëm të hynin në BE

Policia spanjolle ka shkatërruar një bandë që trafikonte qindra emigrantë përmes Ballkanit për në Bashkimin Europian të fshehur në kamionë.

Kreu i bandës u arrestua në Rumani dhe është transferuar për në Spanjë. Nën pranga janë vënë 15 persona, përfshirë 12 shtetas spanjollë.

Në hetimin njëmujor u angazhuan agjenci nga Bosnja, Kroacia, Sllovenia, Franca, Italia, Greqia, Italia dhe Rumania të mbështetur nga Europoli. Emigrantët  transportoheshin në kushte të rrezikshme me kamionë ku zakonisht qëndronin më shumë se 50 persona në një hapësirë ​​prej 8 metrash katrorë.

Kampi i refugjatëve Bihac në Bosnje ishte qendra kryesore logjistike për rrjetin. Që nga pika e tyre e nisjes anëtarët e bandës shoqëronin  emigrantët me  këmbë në  kufirin malor me Kroacinë, ku ata transportoheshin  me kamionë deri në Slloveni ose Itali, pastaj ata  hynin  në vendet e BE.

Policia vlerëson se banda ka arritur të fitojë të paktën 2 milionë euro për trafikimin e 400 personave gjatë  muajve të  fundit, por totali është shumë më i lartë pasi ata kanë  vepruar të pazbuluar për vite me radhë.

Klan News