Burri vret gruan, dy fëmijët dhe më pas veten

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në Kosovë. Një burrë dyshohet se vrau me armë zjarri bashkëshorten, dy fëmijët dhe më pas veten për shkaqe ende të panjohura. Mediat në Kosovë thonë se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:00 në fshatin Pozharan të Vitisë.

“Sipas informatave fillestare, dyshohet se personi me inicialet F.Z., me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, të ndjerën M.Z. dhe dy fëmijët e tij, të ndjerët H.Z. dhe A.Z., ndërsa në fund ka kryer vetëvrasje.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë”, tha në një njoftim për mediat, Prokuroria Themelore në Gjilan./tvklan.al