Mbetet mister se ku e gjeti armën efektivja
I është dhënë lamtumira e fundit 5 anëtarëve të familjes Bllaca, katër prej të cilëve dyshohet se u vranë nga vajza e vetme e familjes, Valdete Bllaca, zyrtare e policisë së Kosovës, e cila më pas vrau edhe veten.
Në ceremoninë e varrimit të familjes, që u shua dy ditë më parë, ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të policisë, Komunës së Gjilanit, si dhe shumë miq e familjarë të viktimave.
Dy ditë më parë Valdete Bllaca dyshohet të ketë vrarë fillimisht prindërit, pastaj dy vëllezërit. Vëllai i vogël madje dyshohet të ketë qenë në gjumë në kohën kur Vajdeta e ka privuar nga jeta me dy plumba, sikurse kishte vepruar edhe me anëtarët e tjerë të familjes.
Sipas policisë, dyshimet janë se pas vrasjes Valdetja ka pirë kafe në një lokal në shoqëri të disa familjarëve dhe pastaj është kthyer në shtëpi me tezen dhe djalin e tezes për t’u përshëndetur me ta. Me të hyrë në korridorin e shtëpisë Valdetja i ka dhënë fund jetës me dy plumba.
Tezja e saj ka dëgjuar krismat dhe ka lajmëruar menjeherë policinë.
Policia është ende duke hetuar se si ka ardhur deri të arma zyrtare Valdete Bllaca, pasi e njëjta i ishte konfiskuar në vitin 2017 pas ekzaminimeve mjekësore, ku ishte konstatuar se ajo ka probleme psikike.
Lidhur me këtë rast janë pezulluar 4 zyrtarë policorë të zinxhirit komandues në Gjilan.
Tv Klan