18 vite pas tragjedisë së 9 janarit të 2004, ku 28 qytetarë humbën jetën, në det, në afërsi të gadishullit të Karaburunit, familjarët ende presin drejtësi. Disa prej tyre i janë drejtuar SPAK me kallëzim për të kryer hetime të mëtejshme dhe gjetjen e 8 personave, që vazhdojnë të jenë të zhdukur. Nikollë Mehillaj, kryetar i shoqatës së viktimave, deklaroi se dosja nuk është hetuar siç duhet.
Nikollë Mehillaj: I lanë atje për t’u fundosur. Pas 18 orësh ka nisur kontrollet anija italiane. Ne na e mbyllën çështjen që mos të dilte ky grup kriminal. Ne i kërkojmë SPAK zbardhjen e çështjes, të vihen para drejtësisë kriminelët që na kanë vrarë fëmijët. Ne kemi 8 vetë të zhdukur. S’i kemi gjetur ende. Ja ky burrë këtu nuk e ka gjetur djalin e vetëm.”
Familjarët e të zhdukurve kanë deklaruar se është kallëzimi i dytë që kanë bërë në SPAK pasi për të parin është vendosur moskompetencë nga Prokuroria e Posaçme.
Nikollë Mehillaj: S’duam që dosjen ta hetojë Vlora, por ta hetojë SPAK. Kemi besim në SPAK për kallëzimin e para 40 ditëve ende s’kemi marrë një përgjigje.
36 të rinjë e të reja u nisën me dy gomone në drejtim të Italisë, por për shkak të motit të keq dhe defektit të gomones shumë prej tyre humbën jetën. Ata ishin kryesisht nga Shkodra dhe kishin paguar nga 1500 euro për të kaluar klandestinë në Itali. Njëmbëdhjetë të tjerët mundën të shpëtonin, mes tyre edhe skafistët. Për këtë çështje është dënuar me 25 vite burg Elton Tafili, njëri prej skafistëve.
Klan News