Tragjedia e Gërdecit çon në shkarkimin e 3 drejtuesve të lartë të ministrisë së Mbrojtjes, shefi i Shërbimit Informativ të Ushtrisë Hysni Gjergji dhe dy gjeneralët Shpëtim Spahiu dhe Ziha Baja. Janë shkarkuar nga detyra me firmën e kryeministrit Berisha dhe presidentit Topi. Propozimi për shkarkimin e 3 funksionarëve ju dërgua për vendim kryeministrit dhe presidentit nga ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa.

Zyra e shtypit pranë ministrisë së Mbrojtjes dhanë detaje, që shkak për këtë u bë një analizë e thellë e ndërmarrë në ministrinë e Mbrojtjes për evidentimin e shkaqeve, piketimin e përgjegjësive administrative dhe marrjen e masave për të gjithë ata persona ushtarakë apo civilë, të cilët nëse do të kishin ushtruar me përpikmëri dhe përgjegjësi detyrat e ngarkuara nga aktet normative në fuqi, mund dhe duhet të kishin parandaluar ngjarjen tragjike në fshatin Gërdec në 15 mars, ku shpërthimi i një reparti ushtarak gjatë demontimit të municioneve të kalibrave të ndryshëm nga një subjekt privat solli një dëm kolosal në jetë njerëzore dhe pasuri.

Spahiu, Baja dhe Gjergji janë 3 prej ushtarakëve që pas tragjedisë, kanë dhënë disa herë shpjegime për grupin e prokurorëve në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Në konferencën e fundit për shtyp kryeprokurorja Ina Rama, paralajmëroi se rrethi i personave përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit pritej të rritej në numër./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani