Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Këta janë trupat e 20 viktimave, që një natë më parë u nisën të kërkonin një jetë më të mirë. Janë 3 gra dhe 18 burra të cilët u rikthyen në tokën e tyre, vetëm disa orë pasi nisën një aventurë të rrezikshme, për t’i shpëtuar varfërisë së skajshme.
Në morgun e spitalit të Vlorës janë identifikuar 19 kufoma, më e reja 15-vjeçarja nga Shkodra Besmira Tibrati. Të rinj janë edhe shumica e djemve, emrat e të cilëve sot janë në listën e radhës së një tragjedie në det, një tragjedi, që prej pak kohësh nuk përsëritej në vendin tonë, por që jetonte çdo çast me viktimat dhe jetën e tyre të mjerueshme.
U përpoqën ta sfidojnë, por gjetën vdekjen, aty ku pësuan të njëjtin fat shqiptar të tjerë që e kanë paguar vdekjen me euro. Trupat e viktimave janë nisur në mbrëmje drejt qyteteve të banimit për të marrë lamtumirën e fundit nga familja, duke lënë pas peshën e një tjetër tragjedie në det./tvklan.al