U duk se një marrëveshje për transferimin e Armando Brojës te Ipswich ishte mbyllur, por për momentin kjo lëvizje ka ngecur.
Detaje zyrtare nuk janë zbuluar, ndërsa Chelsea dhe Ipswich vazhdojnë të jenë në bisedime për mbylljen e një marrëveshje.
Në lidhje me këtë, së fundmi ka folur edhe trajneri i Ipswich, Kieran McKenna, i cili konfirmoi bisedimet dhe deklaroi se nuk duhet të aludohet për problem në vizitat mjekësore, përderisa nuk ka njoftim zyrtar për këtë.
“Me Armandon kemi folur. Klubi është në bisedime me Chelsea-n, por unë nuk jam në dijeni se çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit. Po zhvillohen negociata dhe të shohim së çfarë do të ndodhë para të premtes. Probleme në vizitat mjekësore? Nuk duhet të flitet për ndonjë thashethem tjetër, derisa diçka të konfirmohet zyrtarisht.”
I pyetur nëse është optimist se transferimi i Brojës do të realizohet, McKenna u shpreh: “Të jem i sinqertë, unë jam optimist për të mërkurën në mbrëmje.”
Fillimisht u raportua se Chelsea dhe Ipswich kishin rënë dakord për transferimin e Brojës, në huazim për një sezon, me detyrim blerje për 30 milionë euro, nëse sigurohet mbijetesa. /tvklan.al