Trajneri i kombëtares Josip Kuze ishte i ftuari i gazetarit Blendi Fevziu në Opinion në një intervistë të gjatë rreth jetës karrierës dhe punës së tij me përfaqësuesen shqiptare të futbollit.
Kuze ka folur për të shkuarën e tij, familjen dhe ëndrrat që ka me skuadrën tonë kombëtare.
Tekniku kroat po kalon një periudhë të mirë në Shqipëri dhe se shpreson në një bashkëpunim të gjatë me federatën e futbollit. Ai madje duket se i ka idetë e qarta për përfaqësuesen tonë.
Josip Kuze: “Unë mendoj kështu, në fillim duhet bërë një program për federatën e futbollit. Në këtë program është shumë e rëndësishme përzgjedhja, sepse në këtë program më duhet të bëj tre gjëra. Në fillim përzgjedhja e skuadrës, pastaj duhet bërë plani i lojës dhe më pas duhet krijuar një atmosferë e mirë. Ky është qëllimi ynë për vitin e ardhshëm. Pas një viti do doja të kisha të gjitha përgjigjet për të arritur në luajmë mirë dhe të kualifikohemi.”
Kroati 56-vjeçar ka patur njohje të hershme më Shqipërinë, futbollin dhe futbollistët shqiptarë.
Fati e ka sjellë të jetë trajner i Lorik Canës, por para shumë viteve edhe i babait të tij, Agim Canës.
Një ditë përpara ndeshjes së fundit të kualifikueseve të botërorit, kundër Suedisë, ai ka treguar edhe objektivin e tij për këtë takim.
Blendi Fevziu: “Çfarë mendoni për ndeshjen e ardhshme kundër Suedisë?”
Josip Kuze: “Sigurisht është ndeshje e vështirë sepse ata kanë nevojë për pikë. U duhen tre pikë. Nejse, nuk shqetësohemi shumë për Suedinë, as për Portugalinë e as për Danimarkën. Do bëjmë një lojë të fortë që të bëjmë diçka të mirë edhe për mbështetësit tanë. Shpresoj të vinë shumë tifozë të na shohin. Prandaj duhet vetëm të arrijmë objektivin dhe qëllimin tonë.”
Në orën 22 të mbrëmjes së sotme Josip Kuze rrëfehet në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe