Janë afro 161 mijë pensionistë që pritet të përfitojnë transport publik falas në Tiranë prej 1 Janarit. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se afro 80 % e përfituesve janë pensionistë që kanë mbushur moshën e daljes në pension dhe kategoria tjetër janë invalid apo përfitues të pensionit familjar.
Bashkia e Tiranës thotë se aktualisht janë në fazën e konsultimeve me përfaqësuesit e transportit publik për mënyrën e subvencionimit. Ekspertët e ekonomisë thonë se një nga format e subvencionimit është ajo siç është vepruar me studentët.
“Buxheti i kompanive që mbulojnë transportin në Tiranë është rreth 18 mln euro në vit. Aktualisht Bashkia e Tiranës ofron rreth 1.5 mln euro subvencione që subvencionon transportin e studentëve dhe mbështetje për pjesën tjetër”, thotë eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.
Përfitimi për një pensionist nga transporti falas llogaritet të jetë deri 10 për qind të pensionit.
“Rregullon mirëqenien e pensionistëve, pa marrë parasysh faktin që pensioni mesatar është 18 800 lekë ndërsa ai i femrave dhe minimali arrin më pak se 10 mijë. Ndikon në 10 % të vlerës. Edhe sikur të mbulosh të gjithë transportin publik falas është rreth 6.6 % të buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Është mesë e realizueshme, është diçka pozitive pasi pensionistët janë një shtresë vulnerabël”, shton Muço.
Shumë vende europiane e praktikojnë transportin falas për kategorinë e pensionistëve, si Frankfurti në Gjermani apo Brukseli në Belgjikë.
Tv Klan