Po përfundon mandatin e tretë në krye të qeverisë, ka drejtuar për dy vite Ministrinë e Kulturës, por funksioni publik që e ka shënuar Edi Rama pranon se është ai si kryebashkiak i Tiranës për 11 vjet.

“Të mbetet në lëkurë si eksperiencë. E vetmja ndër të gjitha detyrat publike ku raporti me vendin ku banon është jashtëzakonisht fizik”, tha Rama.

I ftuar të flasë në samtin “Pakti i Qyteteve të Lira” që bëri bashkë në Tiranë kryetarët e bashkive të metropoleve më të mëdha në botë, kryeministri rreshton dhe kryeqytetet që i ka marrë si model për të qeverisur Tiranën.

“Barcelona është një klasë e hapur për të marrë mësime për qasjen ndaj hapësirës publike. Në Amsterdam mësojmë për planifikimin urban, shumë admirim për çfarë kanë bërë kryetarët e bashkisë në Varshavë”, u shpreh Rama.

Rama flet për transformimin e Tiranës që siguron dhe do të dojë dhe pak kohe të shpalosë gjithë potencialin e saj.

“Tiranës i shkon më së mirë ajo shprehja lum kush të rrojë ta shohë zonjë”, tha Rama.

“Pakti i Qyteteve të Lira” është një rrjet global qytetesh ka si mision mbrojtjen e demokracisë, lirisë dhe vlerave progresive.

Tv Klan