Qytetarët ankohen se autobusët janë plotë dhe nuk ka asnjë masë
Transporti urban në kryeqytet është një ndër shërbimet që u hap me më shumë vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pas mbylljes më 12 mars 2020, autobusët urbanë në kryeqytet nisën aktivitetin më 6 Korrik.
Me protokolle sigurie, ku duhej të punohej me vetëm 70% të kapacitetit. Por kjo gjë nuk respektohet. Në orët e pikut, kur njerëzit shkojnë në punë, urbanët janë të tejmbushur. Pasagjerët kërkojnë që të shtohen autobusët pasi rrezikohet përhapja e infeksionit.
Problem është edhe maska. Pothuajse në të gjitha linjat një pjesë e madhe e pasagjerëve janë pa maskë. Përdorimi i maskës është kusht jo vetëm brenda në autobusë, por dhe në stacion kur pret.
Por pasagjerët shprehen se përdorimi i saj është i vështirë pasi nuk ka kondicioner. Ndërkohë që fajësojnë edhe mungesën e kontrolleve për të respektuar masat.
Një tjetër shqetësim i shumë qytetarëve është edhe mungesa e aboneve mujore. Edhe pse nesër fillon Shtatori, ende nuk kanë dal abonetë në treg. Ndërkohë që për muajin korrik dhe gusht ato nuk u hodhën fare në treg.
Pasagjerët shprehen se autoritetet duhet të ndërhyjnë, pasi ata nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë që të paguajnë biletën ditore, pasi gjatë një dite e përdorin 3-4 herë transportin publik.
Klan Plus