Fundjavë mjaft pozitive për një pjesë të madhe të legjionarëve kuqezi në klubet e tyre. Nedim Bajrami ishte një prej protagonistëve kryesor në kampionatin italian. Mesfushori kuqezi shkëlqeu në fushë me Sassuolon në ndeshjen ndaj Salernitana, teksa fillimisht asistoi për golin e parë që u shënua nga Lauriente.
Në fundin e pjesës së parë Bajrami gjeti edhe rrugën e rrjetës duke i çuar shifrat në 2-0 për Sassuolon. Bajrami ishte lojtari më i mirë në fushë, i vlerësuar me notën 8.5 nga sajti i specializuar për statistika sofascore. Në këtë takim për 22 minuta hyri në stol edhe mbrojtësi Marash Kumbulla.
Në kampionatin turk shkëlqeu edhe Odise Roshi. Mesfushori kuqezi ishte protagonisti kryesor për skuadrën e tij Sakaryaspor. Fillimisht Roshi shërbeu saktë për shokun e skuadrës në minutën e 3-të të takimit, ndërsa në fundin e pjesës së parë gjeti edhe rrugën e rrjetës duke vulosur fitoren e skuadrës së tij. Pas përfundimit të ndeshjes, Roshi u vlerësua edhe si lojtari më i mirë me notën 8.6.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, rrugën e rrjetës e gjeti Taulant Seferi. Sulmuesi kuqezi shënoi golin e vetëm të skuadrës së tij Bani Yas, në humbjen 3-1 ndaj Al Wahda. Seferi e nisi si titullar dhe realizoi një gol mjaft të bukur në minutën e 53-të, i shtati këtë sezon në kampionat për sulmuesin kuqezi.
Naser Aliji vijon të dhurojë paraqitje pozitive në kampionatin rumun. Mbrojtësi kuqezi dha kontributin e tij me një asist në fitoren 4-0 të Voluntari ndaj Petrolul. Aliji shërbeu saktë për shokun e skuadrës, që zhbllokoi takimin në minutën e 20-të.
Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Berat Gjimshiti, Enea Mihaj, Frederic Veseli, Jon Mersinaj, Ylber Ramadani, Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Arbnor Muçolli dhe Sokol Cikalleshi, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Mario Mitaj, Keidi Bare, Arbnor Muja, Jasir Asani dhe Armando Broja.
Klan News