Marash Kumbulla po konfirmohet gjithnjë e më vendimtar për Espanjolin e këtij sezoni. Përpos performancës së mirë në fushën e lojës, mbrojtësi ka marrë shpesh petkun e heroit të skuadrës katalanase.
Me golin ndaj Sevijës, qendërmbrojtësi u ngjit në kuotën e 2 rrjetave, teksa u përzgjodh edhe si lojtari më i mirë i këtij 90 minutëshi në radhët e Espanjolit.
24-vjeçari u vlerësua me notën 8 për atë që dha në fushë, për t’i dhënë një tjetër shtysë motivimi për pjesën tjetër të sezonit.
“Kemi bërë një ndeshje të mirë. Besoj se një pikë në fushën e Sevijës është një arritje. Pasi unë shënova të gjithë dëshironim të fitonim ndeshjen. Tashmë duhet të kthehemi në shtëpi me këtë pikë që na vlen. Ishte një duel dhe topi mbeti aty, thjeshtë më mbeti të shënoja. Këtë javë na duhet të punojmë për vazhdimësinë dhe të shpresojmë për tre pikë në ndeshjen e radhës. Tifozët na ndihmojnë shumë në të gjitha ndeshjet. Më së shumti në shtëpi. Na duhet të punojmë shumë për t’i gëzuar ata”, tha Marash Kumbulla.
Espanjol numëron 20 pikë në zonën e ftohtë të renditjes, me 4 prej të cilave kanë mbërritur pikërisht falë cilësive të Kumbullës. Mbrojtësi kuqezi shënoi edhe në fitoren 2-1 ndaj Majorkës në muajin Tetor.
24-vjeçari aktivizohet në Spanjë në formulën e huazimit nga Roma.
Klan News