Marash Kumbulla dëshiron që Espanyol të vazhdojë ecurinë e mirë të rezultateve edhe në përballjen e së dielës në “Real Arena” kundër Sociedadit.
Në 4 ndeshjet e fundit në La Liga, ekipi ka 2 fitore dhe 2 barazime.
Suksesi i javës së kaluar me Real Madrid në shtëpi ka ndikuar edhe më shumë në psikologjinë e ekipit, por tani vëmendja është në përballjen me Sociedadin, që edhe pse ka 3 humbje radhazi, nuk është rival i lehtë.
“Psikologjikisht jemi në gjendje më të mirë dhe kemi punuar fort në këtë javë. Jemi të fokusuar vetëm në takimin e radhës dhe nuk po mendojmë përtej asaj”, tha Marash Kumbulla.
Qendërmbrojtësi kuqezi, i cili është një nga lojtarët e aktivizuar më shumë në prapavijë në këtë sezon, shpjegoi se nuk do të jetë e lehtë që të merren pikë kundër Sociedad.
“Ne po shkojmë në një stadium shumë të vështirë, për të luajtur kundër një ekipi të fortë. Ne e dimë cilësinë që kanë sulmuesit e tyre, siç e kanë treguar tashmë kur erdhën këtu, dhe duhet të jemi të kujdesshëm në çdo kohë. Por ne e dimë se jemi të fortë. Mund të bëjmë një ndeshje të madhe e duam pikë edhe jashtë shtëpisë”, tha Kumbulla.
Lojtari i Kombëtares Shqiptare është aktivizuar në 20 takime në La Liga, ku ka shënuar edhe 2 gola. Espanjol pozicionohet në vendin e 17 në renditje, vetëm 2 pikë larg zonës së rënies nga kategoria.
Klan News