Tre turist italianë kanë denoncuar policinë e Vlorës për mitmarrje dhe një efektiv të saj për ushtrim dhune dhe keqtrajtim fizik. Ata kanë kryer sot kallëzimin penal ndaj uniformave blu të qytetit bregdetarë për shkak të një konflikti të ndodhur mesditën e djeshme në një prej trageteve të linjës Vlorë-Brindisi. Turistët pretendojnë se janë dhunuar nga uniformat blu dhe tregojnë para kamerave dhe foto për të cilat thonë se janë bërë në çastet e agresionit.

“Kemi denoncuar policinë shqiptare sepse u soll keq me ne. Na kanë rrahur dhe na kanë kërkuar para për t’u kthyer në Itali”.

“Në çdo moment që kryenim procedurat policët na kërkonin 5 ose 6 deri në 26 euro për të kaluar”.

Tre italianët dhe një shqiptarë pasi kanë humbur tragetin për shkak të vonesave dhe fluksi të udhëtarëve, janë inbarkuar në një tjetër traget të linjës, por aty u është kërkuar të presin një tjetër biletë. Kjo ka shkaktuar acarim mes tyre dhe drejtuesve të tragetit të cilët kanë thirrur në ndihmë policinë.

Vetë drejtori i policisë kufitare të qytetit bregdetarë, ka deklaruar se çështja po hetohet.

Myzafer Elezi: “Nuk na rezulton që të jetë ushtruar dhunë fizike, dhunë psikologjike dhe të ketë afera korruptive. Ajo çka dua t’ju siguroj është që do të mbështes të gjitha hetimet”.

Rasti po hetohet nga shërbimi i kontrollit të brendshëm i cili ka dokumentuar deri më tani dëshmitë e turistëve dhe ato të efektivëve të akuzuar./tvklan.al