“Shkëlzen Buci me kërcënoi me jetë nëse tregoja për vrasjen”

Personi që zbuloi pas 8 vitesh vrasjen e Englantina Bucit, nga babai dhe vëllai i saj, ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Mësohet se përveç krimit të ndodhur në 2012-n, ai ka treguar edhe detaje për atentatin e 2017-s, ku mbeti i plagosur aktori Mishel Prela.

Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se, personi që ka rrëfyer krimet ka qenë edhe vetë i përfshirë në të dyja ngjarjet. Aktualisht emri i tij nuk bëhet publik, për shkak se autoritetet i druhen një hakmarrje të mundshme.

Sakaq detaje të tjera kanë dalë në dritë pas dëshmisë së tij përballë hetuesve në lidhje me ekzekutimin e 23-vjeçares Buci. Ai ka treguar se planin për vrasjen e të resë e ka thurur babai i saj, Faik Buci. Më pas shoku i tij, Shkëlzeni, njëherazi dhe vëllai i të ndjerës e ka marrë në makinë pranë zonës së Freskut dhe janë drejtuar në Malin e Dajtit.

Pak metra para se të ndodhte vrasja, 23-vjeçarja i ka kërkuar ndihmë që ta shpëtonte nga i vëllai, por ai e qëlloi me një plumb në kokë. Pas vrasjes ai është kërcënuar me jetë nga Shkëlzen Buci, që të mos tregonte atë që kishte parë.

Mesditën e së dielës, Gjykata e Tiranës ka lënë në burg babë e bir, pasi akuzohen se vranë dhe groposën trupin e 23-vjeçares Eglantina Buci. Shkëlzen e Faik Buci kanë mohuar akuzat, pasi nuk janë ata autorët e vrasjes.  

Tv Klan