Sezoni i verës po afron dhe është periudha kur vajzat preferojnë që flokët t’i çelin paksa për t’iu përshtatur stinës së ngrohtë. Sipas ekspertëve, ngjyrat e çelëta do të kombinohen me tonalitete të ngrohta për t’iu përshtatur më mirë tipareve individuale. Jo vetëm kaq, por priten edhe eksperimente për të krijuar një pamje unike por edhe shumë trend. Shkurtimisht, këtë vit mund të testoni edhe flokët rozë apo lejla pa u menduar gjatë.
Brune çokollatë
Hailey Bieber është kthyer në një brune më të ngrohtë. Do të shihet një tranzicion nga e zeza drejt bruneve më të buta, me tonalitete të ngrohta dhe me nuanca kakaoje të errët. Mos harroni të mbroni flokët me spraj të posaçëm apo me shall sepse rrezet e diellit mund të zbehin ngjyrën.
Bjonde solare
Bjondja e ngrohtë që imiton shkëlqimin e diellit do të jetë e preferuara e verës 2024 duke iu larguar platinit të akullt. Kjo ngjyrë i jep dimension flokëve. Mund të zgjidhni edhe metodën e fijeve nëse nuk doni që të shndërroheni tërësisht, por tonalitetet e ngrohta përshtaten shumë mirë me ngjyrën bazë të flokëve tuaj.
Bakër
Tonalitetet e së kuqes do vijojnë të jenë trend. E kuqja sjell ngrohtësi dhe intensitet. Është një zgjedhje e guximshme, por fijet që krijojnë të kuqen shumëdimensionale të bakrit bëjnë që ngjyra të duket më natyrale dhe të përshtatet me tone të ndryshme lëkure. Bakri është një prej tonaliteteve që po ‘çmend’ vajzat. Për ta mirëmbajtur, investoni në një shampo dhe balsam që ruajnë ngjyrën e flokëve.
Pjeshkë
Tonalitetet e pjeshkës do jenë shumë në modë. “Peach fuzz” u zgjodh nga Pantone si ngjyra e vitit 2024 dhe është një zgjedhje e guximshme, por ‘bërtet’ më pak dhe ka tonalitete të ngrohta, ndaj kushdo që është kureshtar për ta provuar do të shohë një shndërrim total. Për ata që kanë në plan pushimet buzë detit apo pishinat, duhet të lagin flokët me ujë normal përpara se të hyjnë. Kjo do ndihmojë që flokët të thithin më pak klor ose krikë dhe redukton zbehjen e ngjyrës apo dëmtimin.
‘Njolla’ lejla
Për ato që s’tremben nga ngjyrat, ‘njollat’ vjollcë do të jenë zgjedhje e përsosur. Është një ngjyrë shumë e gjallë dhe duket shumë bukur kur është e ngrohtë. Trajtojini flokët për t’i hidratuar dhe mbajtur të shëndetshëm si dhe kërkoni produkte që ruajnë ngjyrën.
Bjonde natyrale
Bjondja e artë do jetë trend, por tonalitetet e lehta nuk dalin kurrë nga moda. Bjondja natyrale dhe fijet janë perfekte për periudhën e plazhit.
Rozë pastel
Trendi që dikur na rrëmbeu zemrat rikthehet sërish! Ngjyra lozonjare është zgjedhur nga yje si Karol G, Kylie Jenner dhe Megan Fox. Për ngjyrat pastel, flokët duhet t’i lani me ujë të ftohtë ose të vakët që kutikulat të mbyllen dhe të ruajnë ngjyrën.
Kafe e ftohtë
Vera 2024 sjell nxehtësi, por për t’u ‘freskuar’ do të jetë kafja e ftohtë. Kjo ngjyrë po preferohet nga shumë vajza sepse i bën të duken më chic dhe të sofistikuara. Shtoni fije që t’i jepni dimesion flokëve, por kujdes me larjen. Larja e tepërt zbeh ngjyrën dhe vajrat natyralë të flokëve. Përpiquni të zgjasni distancën mes larjeve duke përdorur shampo të thatë ose gjeni metoda për një larje më të butë që të ruani ngjyrën./tvklan.al