Dictionary.com ka shpallur “demure” si fjalën e vitit 2024 duke lënë pas terma si “brainrot” (kalbja e trurit nga mbipërdorimi i internetit), “brat” (rebele, një vajzë paksa e rrëmujshme që pëlqen festat dhe të thotë budallallëqe ndonjëherë) dhe “weird” (e çuditshme).

Në një njoftim të bërë ditën e hënë, faqja e internetit tha se kjo fjalë pati “rritje meteorike në përdorim” gjatë vitit 2024, rreth 1200% nga janari në gusht dhe kulmi ishte gjatë verës si pasojë e ndikimit nga TikToker-ja Jools Lebron me fjalinë “very demure, very mindful” dhe mijëra videove që ‘shkundën’ rrjetin.

“Demure” (modeste) përdoret për të përshkruar një sjellje të rezervuar dhe diskrete, por Dictionary.com thotë se “një përdorim i ri është shpërndarë në rrjetet sociale” duke treguar lidhjen e re të fjalës me pamjen e dikujt dhe mënyrën si veprojnë në punë apo në vendepublike.

Satira e kësaj fjale shprehet qartë në një video në TikTok ku Lebron thotë se do të tregohet “very demure, very mindful” kur të dalë në një klub nate. Pohimet e saj se në orën 10 do të jetë në shtrat rrëzohen nga disa skena të filmuara natën vonë ku ajo është duke qeshur dhe mezi gjen dhomën e hotelit.

Të famshëm si Kim Kardashian, Jennifer Lopez dhe RuPaul, drejtuesi i “Drag Race” e kanë përdorur trendin për të reklamuar produktet e tyre.

Lebron tha se fama e saj nga videot “demure” e ndihmuan që të financonte shndërrimin e saj të plotë si transgjinore. Ajo ka më shumë se 2.3 milion ndjekës në TikTok.

Dictionary.com tha se vendimi për zgjedhjen e “demure” si fjalën e vitit u bazua në një analizë të thellë të trendeve në rrjetet sociale, titujve të lajmeve dhe fjalëve që janë përdorur në bisedat online e duke kaluar në dialogun e përditshëm.

“Brat” e cila u bë e famshme nga albumi i artistes britanike Charli XCX me të njëjtin titull, u zgjodh nga Collins Dictionary si fjala e vitit 2024 pasi është më e diskutuara në botën virtuale dhe reale./tvklan.al