Ajo është një nutricioniste e njohur, me një karrierë të gjerë në Mbretërinë e Bashkuar. E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan pasditen e kësaj të shtune Dorentina Bexheti tregon historinë e saj të veçantë të studimeve në Londër, ku dhe gjeti dashurinë e jetës.
Nëse do të flisnim për familjen e saj do të dukej sikur bënim bashkë të gjitha trevat shqipfolëse. Mamaja e saj është nga Prishtina, babai nga Tetova, kurse bashkëshorti i saj nga Tirana. Mes Londrës, Tiranës dhe Prishtinës nutricionistja e njohur na tregon pak nga jeta e saj.
Dorentina Bexheti: Kam që nga viti 2001 që jetoj në Mbretërinë e Bashkuar. Atje kam mbaruar për farmaci pastaj doktoraturë për kimi dhe fizikë.
Rudina Magjistari: Ju shkuat për studime atje?
Dorentina Bexheti: Doja Anglinë sepse më pëlqente, kisha ardhur për të mësuar gjuhën kur isha e vogël.
Rudina Magjistari: Ndërkohë në cilin qytet jetoje?
Dorentina Bexheti: Jetoja në Tetovë. Mamanë e kam të Prishtinës, babin e kam të Tetovës dhe shkova në Angli për të studiuar ku gjeta dhe bashkëshortin e Tiranës.
Rudina Magjistari: Kombinimi më perfekt i mundshëm. Bashkimi i gjithë shqiptarëve anekënd.
Dorentina Bexheti: Në Londër mbarova për farmaci pastaj vazhdova doktoraturën aty. Më vonë shkova në Universitetin e Kembrixhit, aty kam punuar si shkencëtare prej 12 vitesh dhe kur mora diagnozën e “celiac”, ajo më shtyu për të studiuar nutricionizmin dhe më vonë pastaj fillova ta praktikoj nutricionizmin. Kam dhe klinikën në Kembrixh ku shoh klientë të ndryshëm, ndërkohë punoj dhe në farmakologji klinike, e kombinoj këtë pjesë./tvklan.al