Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Nuk i njohim drejtuesit e grupit parlamentar të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Berishës, ka deklaruar sot kështu në emër të grupit të moderatorëve deputeti Tritan Shehu, ish-kryetar i PD.
Tritan Shehu, deputeti i PD:- “Grupi parlamentar ka vendosur me vendim të përbashkët që më datën 18 të mblidhet për të diskutuar dhe për të propozuar kandidaturat për drejtuesit e rinj të grupit parlamentar. Kjo është ana ligjore, kjo është ana legale. Gjithsekush i cili ka dashur të përshpejtojë të veri grupin parlamentar para faktit të kryer, unë mendoj se ka gabuar rëndë dhe besoj se grupi parlamentar do dijë që me vendime politike të rëndësishme të mbrojë dinjitetin e tij e të tregojë që është me gjithë mend grupi parlamentar i një Partie Demokratike. Kjo i takon grupit parlamentar ta vendosi i mbledhur me një vendim shumë të qartë, shumë të prerë për t’i prerë rrugën arbitraritetit dhe veprimeve të vazhdueshme për t’i vendosur strukturat para faktit të kryer. Është një vendim i radhës që kryhet në PD nga kryetari i saj i cili vazhdimisht tenton të veprojë në këtë mënyrë për mua jo demokratike”.
Mbledhja e grupit parlamentar caktuar nga vetë deputetët më 18 Tetor, duket se do të jetë e ashpër./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego