Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nuk tërhiqet nga urdhri ekzekutiv i firmosur ditë më parë për shtetësinë e fëmijëve të lindur në SHBA. Ai tha se administrata e tij do ta apelojë vendimin e dhënë nga një gjykatës në Seattle.  

Ky i fundit bllokoi të enjten zbatimin e urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për kufizimin e të drejtës së shtetësisë për fëmijët e lindur në Amerikë nga prindër pa dokumente.

Gjykatësi, me kërkesën e katër shteteve të udhëhequra nga demokratët, lëshoi një urdhër të përkohshëm ndalimi që pengon administratën ta zbatojë urdhrin.

Pak orë pasi bëri betimin më 20 Janar, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi një mori urdhrash ekzekutivë për të përmbushur premtimet e tij të fushatës.

Mes tyre ishte edhe urdhri që ndalon nënshtetësinë automatike për ata që lindin në Shtetet e Bashkuara.

I quajtur “Mbrojtja e kuptimit dhe vlerës së shtetësisë amerikane”, urdhri ekzekutiv i Trumpit kundërshton shtetësinë për foshnjat e lindura në SHBA nga prindër që nuk janë as shtetas e as banorë të përhershëm të ligjshëm.

Klan News