Donald Trump po vijon të plotësojë kabinetin e administratës së ardhshme përpara se të marrë zyrtarisht pushtetin në Janar.

Senatori nga Florida, Marco Rubio sipas mediave amerikane pritet të marrë postin si sekretar i shtetit. Marco Rubio konsiderohet të jetë një nga kandidatët më të ashpër në çështje të tilla si Ukraina, Kina, Irani dhe Kuba.

Rubio edhe më parë ka deklaruar se do të duhet të ketë një zgjidhje të negociuar dhe Ukraina nuk mund të presë të rimarrë të gjithë territorin e pushtuar nga Rusia. Ai gjithashtu ka votuar kundër ofrimit të ndihmës ushtarake amerikane për Kievin. Përzgjedhja e Rubios ka rëndësi të brendshme dhe ndërkombëtare.

Një tjetër emër që pritet t’i bashkohet administratës së re të Trump është edhe kongresmeni nga Florida, Michael Waltz. Ai pritet të emërohet këshilltar për sigurinë kombëtare. Ndërkaq Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjedhur Elise Stefanik, për të shërbyer si ambasadore në Kombet e Bashkuara.

Stefanik, 40-vjeç, është një nga aleatet më besnike të Trumpit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ishte një nga emrat që ishte diskutuar për kandidate për zv.presidente. Ajo ka punuar në Shtëpinë e Bardhë në kohën kur president ishte republikani, George W. Bush dhe njihet si një konservatore më e moderuar.

Ndërkaq zyrtarisht Tom Homan do të merret me mbikqyrjen e kufijve të vendit në administratën e re republikane dhe kjo nuk është një surprizë për mbështetësit e Trump. Homan ka deklaruar se do t’i japë përparësi deportimit të emigrantëve në SHBA në mënyrë të paligjshme, të cilët paraqisnin kërcënime për sigurinë.

Klan News