Ashtu siç kishte premtuar Donald Tramp nisi menjëherë punën për nënshkrimin e dekreteve, në çastet e para pas mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë.

Ndër të tjera, fali gati 1500 pjesëmarrës nën akuzë për dhunën në sulmin e 6 Janarit 2021 në Kapitol, ndër të cilët edhe Stjuart Rods i dënuar me 18 vite burg si një ndër organizatorët e sulmit dhe i akuzuar për krijim bande kriminale. Nënshkroi ritërheqjen nga marrëveshja e Parisit e vitit 2015 për klimën dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Urdhëroi çdo departament të gjejë zgjidhje për uljen e kostove tepër të larta të jetesës së qytetarëve amerikanë.

Vendosi nisjen e shpimeve masive të nëntokës për të nxjerrë naftën e për ta eksportuar jashtë vendit. Shfuqizoi 78 ligje ndër të cilët ndalimin e diskriminimit seksual, lejimin e shërbimit ushtarak për transgjinorët, njohjen e vetëm dy gjinive etj.

Tramp tha se ka në plan nënshkrimin e vendosjes së tarifave deri 25% për importet nga Meksika dhe Kanadaja.

Mes dekreteve të nënshkruara është edhe ai për pezullimin e përkohshëm të urdhrit që ndalon përdorimin e Tiktokut, duke argumentuar se të rinjtë janë përdoruesit kryesorë të këtij rrjeti social dhe nuk përbën asnjë problem nëse Kina u merr atyre të dhënat.

Dekretet e tij pritet të shkaktojnë reagime të ashpra dhe nisma ligjore kundërshtuese.

Ceremonitë u përmbyllën me pjesëmarrjen e tij simbolike tek i ashtuquajturi “rrethi i komandantit të përgjithshëm të ushtrisë” në Uashington, ku pasi vallëzoi me bashkëshorten dhe mbajti një fjalim para përfaqësuesve të ushtrisë, ndau edhe tortën e mirëseardhjes.

Tv Klan